Fundi i vitit 2013, krijon vazhdimësinë e problemeve në vendin tonë. Podgorica zyrtare vazhdon eksperimentet politike duke luajtur me fatin e territorit të Malësisë dhe qenjes së saj në përgjithësi. Kemi mbetur të papërfaqësuar. Ata që i votuam morën poste qeveritare dhe harruan elektoratin. Militantët partiak krijojnë zhurmuesin duke varrosur të vërtetën. Merremi me njëri – tjetrin dhe devijojmë nga problemi. Jemi bërë shoqëri që flasim shumë, por dëgjojmë pak. Çfarë po kurdiset në vendin tonë? Kush e di dhe kush mban – do mbajë përgjegjësi? Pse e vërteta iu fshehet qytetarëve? Shpesh nuk jam dakord me thënien: “Zëri i popullit është zëri i Zotit”! Nuk jam dakord për arsye se populli edhe mund të manipulohet sepse jo në çdo rast e di të vërtetën. Dëshmi është heshtja e krijuar në vendin tonë, ku guri flet me shikim për vuajtjet që ka përjetuar ndër vite, ndërsa qytetari hesht për padrejtësitë që i bëhen. Heshtim përpara çdo diskriminimi që na bëhet nga politika e pushtetit të korruptuar! Shumica jemi të pakënaqur me situatën, por kënaqemi me heshtjen tonë me kushtin që të mos dalim në pah si kundërshtar të së keqes. Po duke mos e kundërshtuar të keqen, pranojmë se jemi ne të tillë! Vrapojmë që të zëmë një vend pune, ndërsa nuk mendojmë se çfarë pasojash mund të kemi!
Kjo është një situatë aspak e volitshme e krijuar pikërisht aty ku pretendohet të ndërtojmë të ardhmen tonë dhe të brezave pasardhës. Politika ka prodhuar ndarje në shoqëri, duke prishur edhe harmonitë më të bukura që i kemi trashëguar brez pas brezi. Heshtja e qytetarëve ishte dhe është e pafalshme. Nuk duhet të lejojmë që dikush të vijë nga një vend tjetër dhe të na trazojë në bashkëjetesën tonë diversitare. Por, me sa duket, jemi mercenarët e rradhës për të kapur pjesën e përqindëshit, edhe në qoftë se vjen në pikëpyetje fati i vendit tonë.
Kur takon njerëz të ndryshëm në vend dhe i pyet për situatën aktuale, të japin lloj – lloj mendimesh, madje disa janë me shumë vlerë. Pastaj, kur vjen çështja për të praktikuar bisedën, të gjithë zhduken në kasollat e tyre dhe heshtin. Kjo i bjen që të flasim mirë, por të veprojmë gabim.
Nuk duhet të harrojmë që e vërteta duhet me çdo çmim të dalë në dritë. Kur ne të luftojmë për të vërtetën, do jemi shembull për të tjerët. Kemi 23 vjet që përpiqemi të fitojmë Statusin e vetëqeverisjes lokale. Që të vetëqeverisemi. Nuk ia kemi arritur. Po çfarë është Komuna? “Komuna është e drejtë që nuk diskriminon. E drejta për komunë shkon përtej lirisë individuale për të patur qasje në të mirat urbane. Komuna është mënyra për ta ndryshuar veten duke ndryshuar vendbanimin dhe mënyrën e jetesës. Komuna është përfshirëse dhe jo përjashtuese. Si në vendimmarrje, ashtu edhe në zhvillimin e Komunës, banorit i garantohet pjesëmarrja, ndërkohë që në të mirat publike i garantohet barazia”. Nga gjithë kjo që citova, neve çdo gjë na ndalohet.
Shtrohet pyetja: ku janë përfaqësuesit tanë politik? A ka organizime të reja, apo thjeshtë janë të njëjtat në thelb? Kemi bërë hapa në drejtim të integrimeve evropiane, por jemi i vetmi popull në Evropë që pushtetin dhe përfaqësuesit tanë nuk i kemi ndryshuar akoma. Ishin pikërisht këta që në sistemin komunist mohuan vlerat e Evropës. Atëherë si mundet që përsëri këta të na tregojnë se çfarë vlerash ka Evropa? Këta kaluan komunizmin, socializmin, periudhat tranzitore konfederative dhe në fund periudhën e “demokracisë” në shtetin e pavarur të Malit të Zi. Sot, këta na udhëheqin dhe shoqëria ka mbyll gojën. Në heshtje dhe biseda private gjenden disa që nuk pajtohen me këta, por ku vjen koha tek veprimi, të gjithë hezitojnë. Shumica i kundërshtojnë partitë politike, por kur vjen koha për të votuar, i sheh duke u rreshtuar në krah të padronëve të tyre. Këta mohojnë politikanët dhe në fund kthehen e mohojnë vetëveten!
Politikanët tanë, përpara votimeve dalin si heronj dhe luajnë rolin e misionarit duke premtuar e stërpremtuar. Pas fitores në zgjedhje dhe kur fillojnë punën, kthehen e bëjnë rolin e vitkimës, gjoja që “nuk mundemi asgjë të bëjmë”! Po atëherë pse merreni me politikë, kur nuk dini të bëni politikë? A e kuptoni se “merrni në qafë” një popull të tërë dhe gjenerata të tëra? Pse nuk dorëhiqeni? Ka edhe nga ata që e pranojnë hapur që “më mirë të marrim ne rrogat sesa t’i marrë dikush tjetër”. Me këtë vërtetohet thënja që: “lakmia e njeriut për pushtet, është më e dëmshme për moralin njerëzor sesa ndryshku për hekurin”.
Kemi parti që fillojnë të ridimenzionohen “nga e para”, por në thelb mbesin të njëjta. Shpallin reforma e gjenerojnë deforma. Shpallin kauza dhe bëjnë pauza. Projektojnë drejt dhe zbatojnë shtrembër. Pretendojnë vizion dhe përfundojnë fiskion. Ngrehin pritshmëri dhe zhyten në pavërtetësi. Propagandojnë bukur dhe mendojnë keq. Duhet patur shumë kujdes që njeriu mund të jetë i pastër dhe i sinqertë, por nëse shtëpia ku ai jeton dhe vepron është e ndërtuar mbi rërë, rrezikon që të shëmbet shpejtë. Kjo këshillë vlen për gjeneratat e reja që po i drejtohen politikës.
Planet për prodhimin e konflikteve në vendin tonë nuk duket se kanë të sosur. Një plan që nuk u kalua në shembullin më të mirë, ishte kurdisja për të futur përçarjen fetare. Ne, si ish – pjesë e pushtuar nga perandoria osmane dhe mbretëria malazeze, jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje si komb për të rilindur vetëveten. Patëm sukses. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja. Vendosëm që fesë mos ti japim rëndësi primare, por mbi të gjitha të ishte kombi. E kundërta do të na kishte fundosur. Ashtu, sikurse mund të na fundosë edhe tani nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. Keni kujdes, Malësia duhet të jetë mbi çdo gjë. Siç thotë fjala: “Zoti në qiell, Malësia mbi tokë”. Malësia është vendi ynë dhe i gjithë qytetarëve të saj. Kuptojeni se duhet të bashkëpunojmë që të arrijmë ditë më të mira.
Ndjej xhelozi, kur e shoh që dikush tjetër mundohet ta marrë Malësinë nën udhëheqje dhe populli heshtë! Askush i huaj, nuk mund ta dojë Malësinë apo çdo vend tjetër shqiptar në Mal të Zi më shumë se sa unë. Kurrë!!! Ky do duhej të ishte parim i mishëruar thellë në ndjenjën e çdo politikani në vendin tonë. Kur këtë parim ta kuptojmë, Malësia do fillojë ringritjen e saj.
Çdo ditë dëgjoj se si individ të ndryshëm punësohen, duke u pajtuar me realitetin dhe duke mbyllur gojën përballë përbindëshit okupues të fazës pluraliste, që sot është kryeqeveritar. Për një rrogë minimale, vendosim të punësohemi dhe të dorëzohemi përballë së keqes. Unë do doja që çdo njeri të punonte, por asnjëherë që puna të ishte si shpërblim për të zbehur zërin për padrejtësitë që na bëhen. Ju tregoj që duke pranuar punë, vend e pa vend, po mbajmë në pushtet një person që na mbajti peng i betejës 25 vjeçare për demokraci. Jemi peng i atij, që ju po e rehabilitoni duke e mbajtur sa më gjatë në pushtet, që na quajti terroristë, që e la Ulqinin, Tivarin, Malësinë, Plavën e Gucinë të pazhvilluara në çdo aspekt dhe sektor. Unë e kuptoj tejskajshmërinë e varfërisë që ka kapluar këtë vend, por ky është shembulli qëndrestar për të kërkuar të drejtat për vendin tonë. Pra, duhet të refuzojmë çdo ofertë që mund të ketë pasoja negative për vendin tonë. Vendi ynë i përbashkët, kërkon ende njerëz të sakrificës, kjo si shkak i mungesës së liderave për të na udhëhequr dhe zgjidhur problemet bazë të shoqërisë sonë. Malësisë dhe Ulqinit, si vendet me shumicë shqiptare, përditë po iu bëhen presione, në forma të ndryshme si punësimi, për të mbyllur gojën përballë çdo shpërfytyrimi në këto vende dhe jo vetëm. Kuptojeni se duke pranuar ofertat që burojnë nga Qeveria e Malit të Zi, ne si shqiptar në këto vende jemi në rrezik shumë të madh të kapitullimit për arsye se zëri i së vërtetës rrezikon të mbytet. Duke u mbytur zëri i së vërtetës (duke pranuar kapitullimin), po rehabilitojmë kryekreun e Qeverisë. Po rehabilitojmë përgjegjësin kryesor për të gjitha padrejtësitë që u kanë ndodhë shqiptarëve në Mal të Zi, sidomos në periudhën e pas tranzicionit. Rehabilitimi ynë do të thoshte dorëzim pa kushte përballë këtij pushteti të akuzuar me vepra penale dhe krime kundër shoqërisë së këtij shteti.
Jam i vetëdijshëm se qëllimi kryesor është për të mbyllur çdo zë të së vërtetës. Sigurisht edhe zërin tim. Por, jeni shumë të vegjël për të më korruptuar mua. Unë nuk blihem. Unë dua të jem zë i qëndresës dhe zë i kërkimit të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet. Dua të jem zë i së vërtetës. Mungesa e vizionit të masës, sigurisht përbën problem për të kuptuar të ardhmen. Nuk ekziston asgjë që ju mund të ma ofroni sot, e që unë nuk mund ta fitoj nesër. Këtë ua kam thënë me dhjetëra herë. Unë nuk do doja të bëja pjesë në atë formacion individësh që humbasin karakterin, duke shkelur parimet dhe duke u transformuar në shurdhërmemecë vetëm për të bërë pasuri; ndërsa më vonë e japin gjithë pasurinë për të patur një shëndet të mirë. Sepse kjo do të thotë që mendoni sikur nuk do vdisni dhe do vdisni sikur nuk keni jetuar asnjëherë.
Mos ngritni vizione pa baza, ndërsa zgjeroni makinacione. Jeni shumë të dobët për një ambicie të vërtetë dhe shumë të fortë për një krenari bosh. Mos veproni që të përmbushni thënjen: “u ngrit fati i malësorit si i vdekuri nga varri, mori udhën e tradhëtisë duke ikur si i marri”. Është moment alarmant për çdo qytetar që mendon për të ardhmen e këtij vendi dhe të pasardhësve tanë. Duhet reflektim dhe reaksion për të ndaluar hapjen e humnerës që po na përgatitet përsëri.
Unë nuk jam përjashtues, por jam përbashkues. Unë nuk paragjykoj, por bashkëpunoj. Unë nuk i ndaj njerëzit në të mirë dhe në të këqinj, sepse nuk është detyra ime, por veproj për gjithpërfshirje. Unë nuk keqpërdorem, por keqkuptohem nga paragjykuesit dhe statikët. Është shumë më lehtë për të folur duke qëndruar si statik, por është shumë më e vështirë për të qenë dinamik. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me çdo faktor që pranon marrëveshje parimore dhe transparente, përndryshe çdo gjë tjetër është hileqare. Ftoj për mobilizim të gjithë zërat e qytetarëve të ndershëm që janë të pakënaqur me pushtetin si në nivel qëndror, ashtu edhe në nivel vendor, që ti japim shuplakën e fundit kësah katrahure shfaruese.
Anton Lulgjuraj
Jurist i diplomuar