Ishte vjeshta e vitit 1989 kur në Malësi, pikërisht në fshatin e Nënhelmit, u mbajt një turnament në futboll të vogël.
Në këtë turnament morën pjesë ekipi Vuksanlekaj, Rrogath, Milesh, Vllanë, Sukruq, Nënhelm, Dushiq etj.
Në atë kohë organizime të turnamenteve të tilla nga të rinjtë malësorë ishin të shpeshta e të zakonshme. Mirëpo, diçka e pazakontë ndodhi atë vit.
Ishin djemtë e ekipit të Dushiqit të cilët në turnament erdhën të veshur kuq e zi, me fanella të kuq dhe shqiponjën e zezë dykrenare. Këta djem në fushën e futbollit sollën flamujt kombëtarë, një pamje e cila nuk u pa asnjë herë më pare, së paku jo në këtë formë!
Ishte koha kur shqiptarët kishin frikë edhe të flasin për flamurë e jo më që atë ta eksponojnë. Ishte koha e trazirave të mëdha në Kosovë, shtypjeve dhe torturave të mëdha qe u bënin ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ishte pikërisht viti kur Kosovës me dhunë ju mori autonomia.
Këta djem shqiptarë të Malësisë, në këtë mënyrë shprehen solidarizim ndaj bashkëkombësve në Kosovë të cilët në atë kohë protestonin ndaj agresionit serb.
Ekipi kuq e zi i Dushiqit, jo vetëm që solli flamujt kombëtarë shqiptarë në fushë të futbollit duke dëshmuar guxim dhe dashuri ndaj flamurit, por ata, atë ditë edhe fituan turnamentin, nxunë vendin e parë.
Por kjo nuk përfundoi me kaq. Djemtë e ekipit të Dushiqit, pas fitores, shkuan në një kafene në Tuz për të festuar. Festa nuk zgjati shumë, pasi pas pak, vendi ku ata po rrinin u rrethua nga policia malazeze. Ata u morën dhe u dërguan në stacionin e policisë në Tuz për një dëgjim ku dhe u keqtrajtuan nga ana e policëve.
Gjon Toma Sinishtaj, njëri nga djemtë e ekipit të Dushiqit, për portalin tonë sqaron, se ata pasi u morën në stacionin policor, u nënshkruan torturave të ndryshme psiqike dhe fyerjeve në bazë nacionale. Ai sqaron se si policët ishin të interesuar të zbulonin se kush ua kishte siguruar fanellat me flamurë shqiptarë si dhe kush i kishte inkurajuar që ti vishnin, megjithatë këta te rinj i mbeten besnik qëllimit të tyre edhe pse ishin nën presion dhe tortura.
Sinishtaj kujton se kur u sollën në stacionin e policisë, njëri nga policet u drejtua duke i pyetur (në gjuhën serbe): “Jeni në Shqipëri apo në Mal të Zi?”…. kur njëri nga djemtë, Anton Rroku Sinishtaj i kthen përgjigje “ne jemi shqiptarë në Mal të Zi”, kurse polici pastaj e pyet se çfarë do te thotë me atë, Sinishtaj i kthen përgjigje të shkurt “them atë që thash”.
Pas më shumë se shtatë orë torture psiqike ndaj tyre, policët kërkuan nga ata që të zhveshin fanellat dhe ti lenë aty në stacion, por ata refuzuan ngaqë kishin lidhë besën se gjallë nuk i zhveshin, dhe ashtu qëndruan deri në fund, sqaron Sinishtaj.
Pasi policët e vërejtën se këta djem nuk do të shkelin fjalën e tyre, ata u detyruan që ti lirojnë, por i paralajmëruan se do ti ftojnë përsëri për të dhënë përgjigje për këtë akt, siç e quajtën ata “anti shtetërorë”.
“Ishim të ri, zemër kishim bollë, të vendosur ishim, frikë ishte shumë në Malësi por nuk e zeshim kryet as për një sekondë, as një nga ne”, shprehet Sinishtaj.
Sinishtaj sqaron se ishte pronari i kafenesë në Tuz, me emrin Rajo Vuletic, ku ata kishin shkuar për të festuar fitoren, ai i cili i kishte njoftuar policinë.
Fanellat me flamurin shqiptarë në atë kohë ua kishte dërguar Anton Gjetja Sinishtaj nga New York-u, tregon Sinishtaj.
Ishte kjo një ngjarje jo e zakontë për atë kohë, një shembull i krenarisë dhe dashurisë ndaj flamurit shqiptarë, shembull i guximit dhe fjalës së dhënë, gjë e cila edhe sot, njëzetekatër vite më vonë, mund të na shërbej si shembull.
Edhe pse jetojmë në një shtet “demokratik”, simbolet tona kombëtare ende janë të ndaluara me ligj dhe presioni ndaj shqiptarëve vazhdon me të njëjtat përmasa, por ndoshta me metoda pak më ndryshe dhe të maskuara.

lart nga e majta: Tomë P. Lulgjuraj, Nosh Rr. Sinishtaj, Gjon T. Sinishtaj, Anton K. Sinishtaj,
poshtë nga e majta: Lin K. Sinishtaj, Nikollë M. Sinishtaj, Anton Rr. Sinishtaj, Lekë D. Sinishtaj
Falënderojmë Simon Sinishtaj i cili na mundësoi fotografinë dhe kontaktin

