SELANIK- Klubi i futbollit të Selanikut, PAOK, ka pezulluar deri të hënën nga të gjitha aktivitetet sportive të klubit, futbollistin shqiptar, Ergys Kaçe, i cili pozoi në rrjetin social të “Facebook” i veshur me fanellën e UÇK-së.
Për të shmangur të gjitha incidentet e mundshme, drejtuesit e klubit kanë vendosur pezullimin nga aktivitetet sportive të Kaçes, në mënyrë që të qetësohen reagimet e tifozëve të Klubit dhe të mbarë Greqisë.
Tifozët e PAOK nuk harrojnë t’i kujtojnë Kaçes, se kishte mundësinë që të vishte fanelën e Kombëtares së Greqisë, pasi i ofruan nënshtetësinë greke, por ai preferoi nënshtetësinë shqiptare.
Për tifozët e PAOK pozimi i Kaçes në “Facebook” me fanelën e UÇK nuk ishte i rastësishëm, por i qëllimshëm dhe u bë pikërisht ne datën 4 shtator, ditë, kur Shqipëria mundi Greqinë 2-1, në vitin 2004, menjëherë pas fitores së kampionatit Europian nga Greqia dhe vrasjes së tifozit shqiptar në Kretë, Gramoz Palushi.
Sipas zotit Brizas PAOK ka kërkuar nga juristët e klubit që të gjejnë e përpunojnë formulën e duhur që klubi të mos dalë i dëmtuar nga një denoncim i mundshëm në FIFA. /Zeri/

