Tuz, Malësi (12.02.2013) – Manifestimi tradicional , i tetëmbëdhjeti me radhë, Karnavali “KORET” 2013 u përmbyll mbrëmë në natën finale të defileut kryesor nëpër qendër të Tuzit.
Edhe pse koha ishe e papërshtatshme, me reshje të vazhdueshme shiu, ekipet pjesëmarrëse në karnavalin e sivjtëm realizuan temat e tyre të përzgjedhura përpara publikut. Për ta ndjekur ketë eveniment kishin ardhur një numër mjaft i madh i qytetareve.
Ekipi i parë i cili defiloi përpara publikut ishte ekipi i Vulaj, që ishte dhe fitues i karnavaleve të vitit të kaluar, me temën: “Dëshira e fundit”.
Më pas defiluan ekipet: Tuzi me temën “Reciklimet”, Hoti me temën “21 Dhejtor 2012”, Budva me temat “Engjujt e Viktorijes” dhe “Femrat e Çmendura”, Nënhelmi me temën “Fundi i tiranisë”, Vuksanlekaj me temën “Rokerat në Malësi” dhe ekipi i fundit që defiloi ishte ai i Trieshit me temën “Epokalipsa”.
Pas përfundimit të defilimit te të gjitha ekipeve, derisa juria po vendoste pikët për fituesit e karnavalit të sivjetem, pasuan disa minuta argëtim nga DJ Buqi dhe këngëtari Lekë Dedvukaj.
Pasi publiku u argëtua nën ritmet e muzikës, në fund juria e përbërë nga përfaqësues te të gjitha grupeve pjesëmarrëse, vendosi të shpall dhe fituesit e karnavalit të sivjetem Koret 2013.
Sipas jurisë, maska më e mirë kolektive i takoi ekipit Budva, kurse maska më e mirë individuale shpalli ekipin nga Hoti.
Vendi i tretë i takoj ekipit të Trieshit, vendi i dytë ekipit të Tuzit dhe vendi i parë ju dha ekipit te Hotit me një temë dedikuar fundit të botës.
Pasi u shpallen tre vendet fituese të karnavalit, radhën e kishte djegëja e “shtrigës” që i vunë flakën ekipi Vulaj, që ishte fitues i karnavaleve të vitit të kaluar. /Malesia.Org/
/FOTOGRAFITË/

