Qëndrime të ndryshme brenda koalicionit “Forca për Bashkim”
Përpos mosmarrëveshjeve në mes të partnereve qeveritarë DPS – SDP rreth kandidaturës për presidentin e Malit të Zi, duket edhe përfaqësuesit e subjekteve shqiptare kanë qëndrime të ndryshme edhe brenda koalicionit.
Vasel Sinishtaj, përfaqësues i Iniciativës Qytetare e cila është pjesë e koalicionit “Forca për Bashkim”, njëkohësisht edhe pjesë e koalicionit qeveritarë, është kundër kandidatit të mundshëm nga radhët e DPS-it, presidentit aktual Filip Vujanovic, shkruan Dan.
Sinishtaj ka sqaruar se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi. Ai sqaron se kryetari mund të marrë një mandat dhe një rizgjedhje, të cilat Vujanovic i ka shfrytëzuar.
“Kushtetuta në shtetet demokratike duhet zbatuar”, tha Sinishtaj.
Nga ana tjetër, Xhevdet Cakuli nga Forca e Re Demokratike e cila po ashtu është pjesë e koalicionit “Forca për Bashkim”, u shpreh se partia e tij do të përkrahë kandidatin e DPS-it, po të jetë ai edhe Vujanovic.
Lideri i Partisë Demokratike, pjesë e koalicionit “Koalicioni Shqiptar” (LDnëMZ, PD dhe ASH) e cila po ashtu është edhe pjesë e koalicionit qeveritarë, deputeti Fatmir Gjeka deklaroi se do të përkrahë cilin do kandidat nga radhët e DPS-it. /Malesia.Org/