Në kuader të aktiviteteve për nderë të 100 Vjetorit të pavarësisë, më 23 nëntor, në Pallatin e Operas, në Tiranë, u mbajt përurimi i botimit të ALBANIAN EXCELLENCE , ‘’ 100 Histori suksesi në 100 Vjetorin e pavarësisë’’, të autores, gazetares së njohur të ATSH-së, Flora Nikolla. Promovimi ishte një spektakelë i dorës së pare dhe u bë para një spektatori të veçantë, ku ishte prezent pothuaj i tërë kori diplomatik i akredituar në Shqipëri dhe u ndjek drejtperësëdrejti nga Televizioni shqiptar. Ky promovim kishte një rëndësi të veçantë për ne malësorët sepse në rrethin e këtyre 100 historive të suksesit, 100 emrave që përfshinë ky botim gjindet edhe një malësorë nga NY. Fjala është për Pashko Rroku Camaj i cili edhe përsonalisht mori pjesë në këtë promovim. Në fjalën prezantuese për Pashko Camaj u tha :
‘’Nga Malësia në Amerikë Pashko Camaj emigroi në vitin 1985, i shtyrë kryesisht nga problemet e shumta politike dhe ekonomike. Ai thotë se thënia “vetëm në Amerikë” vërtetë ka një kuptim të plotë vetëm në Amerikë, ngaqë gjërat që mund të arrihen këtu nuk beson se mund të arrihen diku tjetër. “Amerika është një vend i hapur dhe i lirë, ku suksesi dhe puna respektohen dhe vlerësohen shumë”, mendon Pashko Camaj, i cili asnjëherë në këtë vend nuk e ka ndier veten të huaj. Liritë individuale në SHBA i ofrojnë mundësi çdo njeriu të veprojë dhe jetojë ashtu si dëshiron, kuptohet brenda ligjeve shoqërore. Ka gati 12 vite që punon si menaxher në zyrën e shëndetit dhe sigurisë në transportin publik në Nju Jork, ku përgjegjësitë e tij kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e shëndetit të mijëra punëtorëve që punojnë në këtë sistem si dhe miliona njerëzve të cilët përdorin metronë dhe autobusët. Prej dy vitesh, Pashko Camaj është i angazhuar me një punim shkencor, baza e dizertacionit që do të mbrojë në Universitetin Columbia, në pranverë të vitit 2013. Tema e tij ka të bëjë me efektin afatgjatë të plumbit hapësinor në shëndetin e njerëzve në Kosovë, konkretisht efektet e plumbit gjatë periudhës së fëmijërisë dhe rinisë.’’ /Albert Camaj/