• Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti
  • stafi@malesia.org
E shtunë, 21 Qershor, 2025
  • Login
Malesia Org
Advertisement
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
MALESIA.ORG - Tuz, Malësi
No Result
View All Result
Home Opinione/Editoriale

Mirash Luca Gojçaj, intelektual i përmasave kombëtare – nga Gjekë Gjonaj

30 Shtator, 2012
in Opinione/Editoriale
Share on FacebookShare on Twitter

Kaluan  tridhjetë e gjashtë vjet prej se u nda para kohe prej nesh  intelektuali, mësimdhënësi, gazetari, studiuesi dhe  mbledhësi  i krijimtarisë gojore të Malësisë, Mirash Luca Gojçaj.  Është njëri prej  intelektualëve tanë i përmasave kombëtare që ngriti dhe nderoi veten,  familjen, rrethin dhe kombin me punën dhe  veprimtarinë e tij të sukseshme  në shumë  sfera. Është një  figurë e ndritshme e së kaluarës së Malësisë që, krahas  shumë figurave të tjera të shquara,  meriton respekt. Është një personalitet që  duhet vlerësuar   kontributin e   tij   për kulturën shqiptare në përgjithësi. Është një veprimtar që nuk duhet lënë në harresë. Kjo është në nderin tonë, sepse duke i përkujtuar figurat e nderuara të kaluarës, qoftë edhe vetëm përmes një shkrimi të shkurtër,  shlyejmë një detyrim ndaj  tyre dhe i bëjmë ata të përjetshëm e të pavdekshëm tek  brezi ynë i ardhshëm. 

Rruga e formimit intelektual

Mirash Gojçaj ishte bir i një familjeje përparimtare nga  Hoti .   U lind  në vitin  1933, në fshatin  Skorraq. U rrit nga babai  Luca , i cili u vra në Luftën nacional çlirimtare në Deçiq në fund të vitit 1944 dhe nëna Tereze. U përkund në djepin e traditës së malësorëve. U rrit dhe u edukua në frymën  e atdhedashurisë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje dhe në Tuz. Falë përkushtimit dhe vizionit të babait të tij për edukim dhe arsim   Mirashi  largohet nga vendlindja dhe vendoset  në Gjakovë, duke  studiuar në Shkollën normale, dega e mësuesisë. Sëmundja e hershme e detyroi të ndërprejë studimet. Për fat të mirë arriti të shërohet dhe më pas  një kohë punoi si mësues i padiplomuar në  fshatin Radoniq të Gjakovës. Puna  atje me ditar në dorë   nuk e pengoi të  përfundojë  me  sukses  të shkëlqyeshëm  privatisht Shkollën normale në Prishtinë, ku një kohë punoi si edukator. Mësuesi i ri tashmë me përvojë nuk kënaqet me kaq.  Përfundon me sukses  Shkollën e naltë pedagogjike në Shkup-  degën   Gjuhë dhe letërsi shqipe.

Dashuria për Malësinë

Gjatë  shkollimit të tij   në Gjakovë, Prishtinë  e Shkup,  Mirashi përveç aftësimit profesional   me punën dhe  veprimtarinë e vet  arriti të  krijoi  autoritet dhe natyrshëm  një jetesë  më  të mirë  seç ishte asokohe në Malësi.  Megjithatë  nostalgjia për vendin  e të parëve, dëshira e madhe për t’i kontribuar Malësisë,e cila gjysmëshekullin e klaluar vuante nga mungesa e kuadrove të shkolluara,  ishin dominuese në përcaktimin e tij jetësor. I la këto qytete shqiptare dhe  kthehet në  fshatin e tij të lindjes në Skorraq,  nga i cili doli dhe tek i cili  nxorri lëndën e parë  të punës së vet. Në  vendlindje  punoi   tri vjet ( 1966-1969 )  si drejtor i shkollës. Kolegët ,   ish nxënësit   dhe prindërit e fëmijëve  gjithmonë e  mbajnë dhe  do ta  mbajnë  në mendje  për të mirë.  Kanë folur dhe do të flasin  fjalë miradie për birin e tyre, sepse, siç shprehen  ata, ai e ka merituar.  Mirashi, thonë bashkëkolegët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ishte model i një  pedagogu, intelektuali  dhe njeriu të dashur,  të ditur, të urtë, të ndershëm dhe të  përkushtuar  për kulturën shqiptare.  

Gazetaria – profesioni i dytë  

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të  kaluar shqiptarët në  Mal të Zi kishin nevojë për gazetarë.  Numri i tyre asokohe ishte i pakët, ndonëse  mungonin mediat në gjuhën amtare.     Mjeti i vetëm  i informimit të shqiptarëve në këtë republikë ishte Radio Titogradi i atëhershëm ( sot Radioja e Malit të Zi) , e cila emetonte emisionin shqip javor informativo-muzikor, njëorësh, redaktor i të cilit ishte i ndjeri Gjergj Daku Gjokaj.  Mirashi në shkurt të vitit 1969  filloi  punën e gazetarit në redaksinë në shqip në këtë radio, ku ka punuar deri në vdekje, në  fillim të korrikut 1976.  Gjatë kësaj periudhe kohore Mirashi  bashkë me kolegët e tij shqiptarë përgatiti shumë lajme, informata, raporte, biseda, reportazhe , vështrime etj. kryesisht nga Malësia,por edhe nga viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi. Ishte bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni.

Pasioni për folklorin

Krahas punës si gazetar Mirashi me  dashuri të madhe iu qas  mbledhjes së lëndës folklorike në Malësi, si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në kuadër të të cilit themeloi dhe  drejtoi Degën e Foklorit,  kolosi ynë Anton  Çeta, figurë poliedrike e kulturës shqiptare.   Ai në mbledhjen serioze  të  krijimtarisë letrare gojore  të shqiptarëve në Mal të Zi  bashkëpunoi me bashkëpunëtorët e tjerë të jashtëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Dom Simon Filipaj,  Patër  Vinçenc Malaj, Fran  Zef  Jankaj, Atë Kolë Berisha, Ismail Doda  e  të  tjerë.  Se sa  e kishte  në shpirt  letërsinë tonë gojore dëshmojnë edhe fjalët e Mirashit  në një takim në shtëpinë tonë në Triesh me babain tim të ndjerë Gjonin, shokun e tij  të ngushtë  me të cilin ishte vëllazëruar  (sipas dokeve të malësorëve  kanë pirë një pikë gjak   prej njëri-tjetrit):  Malësia është një thesar  i trashëgimisë së popullit tonë. Kjo pasuri jona shpirtërore  gjatë shekujve  na ka mbrojtur nga asimilimi dhe zhbërja nga pushtuesit tanë  të shumtë shekullorë. Prandaj kemi detyrim kombëtar që  të ruajmë trashëgiminë tonë shekullore .

Një pjesë  të  madhe të  këtij materiali foklorik të mbledhur nëpër fshatrat e Malësisë nga tregimtarë të grupmoshave të ndryshme  Mirashi e botoi  në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Kurorëzim  i gjithë kësaj pune të mundimshme , të sukseshme e me vlerë për kulturën tonë  kombëtare është  botimi  pas vdekjes i veprës  së tij “ Thesare të Malësisë” nga Misioni Françeskan  në  Malësi, Tuz, 2006, financuar nga familja e Lucë Gjonit Gojçaj.  Në këtë libër  të Mirash Gojçajt prej 207 faqesh  përfshihen vajtime, gjamë,  këngë  dashurie, këngë  dasme, këngë humoristike, këngë historike, këngët kreshnike,  balada, përralla, mallkime, fjalë të urta, frazeologji, dhe legjenda toponimesh kryesisht nga Malësia.

Vepra  “ Thesare të Malësisë”

Prof.Dr. Anton Nikë Berisha në parathënien e këtij libri  ndër të tjera shkruan:

Edhe malësorët e Grudës, Hotit, Trijeshit me rrethina, ku u mblodhën materialet e përfshime në këtë vëllim të Mirash Gojçajt, i krijuen, i pasunuen dhe i bajtën llojet e kësaj letërsije prej në brezi në tjetrin, disa prej të cilave ( lloje) mbërrijtën edhe në ditët tona. Kjo gja ndodhi për arsye se malësorët patën një shpirt të pasun e një aftësi të veçantë krijuese, prandaj i pasunuen dhe i ruajtën me përkushtim nëpër rrjedhë të moteve”.

Patër Pashku Gojçaj  ka thënë: Malësia nuk kishte njerëz të shkolluem e  Mirashi  me  përkushtim të madh  i përveshet punës  në  pasqyrimin e  vlerave  të nevojshme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e jetës nga  brezi në brez, për të kuptuar se kush jemi,  ka duhet të shkojmë e si duhet t’i mbrojmë vlerat tona shqiptare autoktone.

Kolegu ynë  i mirënjohur në  diasporë  Zef Pergega , duke e quajtur Mirash Gojçajn  princ i gojtarisë së Malësisë është shprehur:   Gjithë çfarë ka shkruar e ka mbledhur Mirash Gojçaj përmban brenda vetës filozofinë e afshit të dheut, se heroizmi për të dhe kultura popullore janë dy nga elementet me të qensishëm me të cilat mbrohet e jetohet jeta e pragut tend. Libri  i Mirash Gojçaj është një digë ndaj këtij vërshimi me trubullime që e orjenton vreshtarin që shartimet ti bëjë në trug të traditës, që filizi të çelë frutet e pjekura.

Përjetësimi në vargje 

Mirash Gojçaj ishte edhe gojëtar i spikatur dhe promotor i pajtimit të gjaqeve në Malësi dhe jo vetëm. Për të kuptuar përmasat e figurës së Mirasah Gojçajt, mjafton të sjellim para lexuesit vargjet   e rapsodit tonë të mirënjohur popullor Sali Mani:

…  Prej te vargu ma i vjetër  ( i krijimtarisë gojore të Malësisë-shënimi im)
ai (Mirash Luca-shënimi im)  e merr e bahet vepër
merr nektarin  porsi bleta
për Malësinë si Anton Çeta
Netëve  t’ errta me pak dritë
gjithë malësorët,  po rrinë tuj pritë
Mirash Gojcaj kur po flet
ai bylbyl i gjuhës  s’vet

Fjalës së parë kur po ia nis
për Besëlidhjen e Malësisë
arsimtari atdhetar
qet prej gojet fjalën e artë

Ja dha shkolla diturinë
vujtja i dha zemërgjerësinë
Zoti i fali gojëtarinë
Hoti i dha atdhetarinë

Nëpër odat e malësorëve
nëpër rreshtat e dasmorëve
nëpër logje, kangë e valle
nëpër fusha, nëpër male
nëpër shkollat e Malësisë
nëpër vepra t’bamirësisë
ai mungon, si gur i rrallë
por me vepër rron i gjallë
me atë zemër si flori
plot me mall për shqiptari…

Përmbledhje 

Vdekja e Mirash Gojçajt në moshën  43 vjeçare ishte një humbje e madhe për familjen dhe të afërmit e tij, një humbje e madhe për të gjithë ata që  e njohën nga afër dhe patën rastin ta kenë mik.  Ishte dhe mbeti një qytetar i denjë i Malësisë,pa rolin e të cilit nuk mund të kuptohet  jeta kulturore e  kësaj trevë shqiptare.  Jeta dhe kontributi i tij në fushën e arsimit dhe kulturës do të jetojnë  gjithmonë. I përjetshëm  qoftë kujtimi i tij!

Këngë për Mirash Lucë Gojçajn (Malësi e Madhe)
Këndon: Sali Mani

Hej
rrjedh nji kangë si vala e Drinit
hapet logut të Dragogjinit
për nji zemër atdhetare
malet shqipes përdykrenare

… Brez pas brezit ku kanë le
burra lisa për atdhe
atje leu e u rrit si motit
Mirash Luca, djalë prej Hotit

Ia merr bjeshkës bubullimën
ia merr liqenit gurgullimën
nëpër male legjendare
hej, merr thesare mijëvjeçare

….
ku ardh gëzimi e pikëllimi
ku ardh kanga o e vajtimi
historia jonë gojore
rujt tek shqipja, hej, gjuhë hyjnore

Prej te vargu më i vjetër
ai e merr e bëhet letër
merr nektar e porsi bleta
për Malësinë, si Anton Çeta

…

në t’vet errta me pak dritë
gjithë malësorët o po rrinë tuj pritë
Mirash Gojcaj kur po flet
ai bilbil o i gjuhës s’vet

Fjalës së parë kur po ia nis
për besëlidhjen e Malësis’
arsimtari atdhetar
qet prej goje fjalë e artë

Ia dha shkolla diturinë
vujtja i dha zemërgjerësinë
zoti i fali gojëtarinë
hej, Hoti i dha atdhetarinë

Nëpër odat e malësorëve
nëpër rreshtat e dasmorëve
nëpër logje, kangë e valle
nëpër fusha, nëpër male
nëpër shkollat e Malësisë
nëpër vepra t’bamirësisë
ai mungon, si gur i rrallë
por me vepër rron i gjallë
me atë zemër si flori
plot me mall për shqiptari

 

Previous Post

Përsëri mbi Noel Malcolm dhe Ismail Kadarenë

Next Post

Gjuha shqipe s’është kolerë, o njerëz!

Next Post

Gjuha shqipe s'është kolerë, o njerëz!

Fotografia e muajit

Kënga e Muajit

Facebook Instagram Youtube
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
  • Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti
  • stafi@malesia.org

© 2000 - 2024 malesia.org

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
  • Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti

© 2000 - 2024 malesia.org