| |
TAEKWONDO - NË ITALI PËRFUNDOI
KAMPIONATI EUROPIAN PËR SENIORË
postuar:
22.04.2008
Gjyqtarët e lanë Junçajn pa
medalje
Driton Junçaj dhe Martin
Lulgjuraj, seniorë të SHS "Besa" që përfaqësuan Malin e Zi në
Kampionatin Europian Romë, nuk ia arritën të fitojnë ndonjë
medalje. Numri i shteteve pjesëmarrëse ishte 43.
Përfaqësuesi
i kombëtares së Malit të Zi në Kampionatin Europian të
taekvondosë, që u organizua javën e kaluar në Romë, Driton
Junçaj (në kategorinë +84 kg), ka qenë afër marrjes së
medaljes së bronztë, pasi që ai në xhiron e parë e mundi
finlandezin Timo Heinom me rezultatin 1: 0, por në xhiron e
dytë ai u mund nga spanjolli Fernandez. Një kohë të gjatë
Driton Junçaj udhëhoqi ndaj kundërshtarit spanjoll me
rezultatin 2:0, por pak para përfundimit të luftës ai u dënua
me pikë nga arbitrat kurse në vazhdim të duelit, Fernandezi
pati shumë fat.
Pas kthimit nga Roma, Driton Junçaj për "Kohën javore" u
shpreh se para shkuarjes në Romë pati disa lëndime të këmbëve,
por falë fizioterapeutit, Dodë Junçaj që bëri të pamundurën
për t`i ndihmuar, ai arriti të marrë pjesë në këtë kampionat.
Për përshtypjet e tia që la në Romë ai falënderon trajnerin
internacional të taekwondosë nga Zagrebi, Boris Budora, i cili
e përgatiti për këto gara, pastaj trajnerin e vet Nikollë
Gegaj, si dhe trajnerin e ti në Tiranë, Kim Jun Ki.
"Dihet se Mali i Zi nuk ka një përvojë të madhe, si një Spanjë
për shembull, apo dikush tjetër. Por, sido që ka përfunduar,
kjo për ne paraqet një sukses, sepse në këto gara prestigjoze
Mali i Zi mori pjesë për herë të parë", thotë ai. Junçaj
tregon se në Romë pati mjaft përkrahje nga tifozët sllovenë,
kroatë, boshnjakë, si edhe nga ata shqiptarë.
Ndërkaq, trajneri Nikollë Gegaj tregon se në kampionatin
europian për seniorë, të organizuar në Romë e kishim në dorë
medaljen e Driton Junçajt. "Filluam edhe të gëzohemi për
fitore, mirëpo në fund protestimi i spanjollëve na solli dëm
neve dhe kështu referët përfundimisht e shpallën spanjollin
Fernandez fitues të duelit. Kështu Junçaj mbeti pa medalje",
shprehet ai. Ai bën të ditur se në palestrën Pallaco Delosport-
Pallallotomatika, reprezentacioni i Malit të Zi e zuri vendin
e katërt. "Ky për ne është një sukses i madh, me çka ne atje
dëshmuam qartë se kemi sportistë, që dinë dhe mund t`u
kundërvihen edhe atyre më me famë europiane.
Përfaqësuesi tjetër i Malit të Zi në Europianin e Romës,
Martin Lulgjuraj
(-72), humbi në xhiron e parë nga britanezi, Dejvid Etminanija.
rr.d. (Koha Javore) |
|