Në Turneun e Karatesë në Gostivar Klubi i Karatesë “Ulqini” u kurorëzua me 35 medalje dhe 7 kupa

DHJETË MEDALJE TË ARTA DHE SHTATË KUPA PËR ULQININ

Më 12 prill 2008 në Gostivar u mbajt Turneu i VII ndërkombëtar i karatesë “Kupa e Gostivarit 2008”, i organizuar nga klubi vendas i karatesë “Fati”, në bashkëpunim me Federatën e Karatesë së Maqedonisë dhe Akademinë e Karatesë së Maqedonisë, në të cilin morën pjesë 46 klube me mbi 370 garues .

Klubi i karatesë “Ulqini”, tashmë i njohur me sukseset e arritura dhe që çdo herë dëshmon aftësitë e veta në çdo arenë ku merr pjesë, edhe në kupën e Gostivarit arriti të kurorëzohet më 7 kupa dhe 35 medalje, prej të cilave 10 janë të arta, 8 të argjendta dhe 17 të bronzta. Përveç këtyre, klubi fitoi edhe kupën e klubit më të kompletuar mysafir të garës.

- Nga kjo garë veçohen dy ekipet e kadetëve të djemve dhe vajzave, të cilët u kurorëzuan me medaljen e artë në kata ekipore. Posaçërisht veçohet ekipi i djemëve, i cili me punën e shkëlqyer tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishëmve në sallë duke i duartrokitur fort. Po ashtu, gjatë paraqitjes së tyre u ndërpre gara nëpër arenat tjera për të shikuar demonstrimin e katës mjeshtrore të tre garuesve tanë, që janë emra të njohur për mbarë opionionin, sepse vite me radhë janë fitues të medaljeve të arta në shumë gara të ndryshme dhe kampionate e këta janë Viktor Curoviq, Dardan Ceka dhe Liridon Elezi. Ata zgjuan edhe interesimin e shumë klubeve të njohura - shprehen të kënaqur trajnerët e klubit Naim Duraku, Mirsad Nasradini, Kujtim Sukaliqi, kryetrajneri Ruzhdi Rama dhe drejtori i marketingut Skender Tahiri, i cili udhëhoqi ekipin në këtë garë.

Nga Klubi i karatesë “Ulqini” me medalje të arta u shpërblyen shumë garues, e këta janë: Dardan Ceka, i cili fitoi dy medalje të arta, ndërsa nga një të artë fituan Blerta Tahiri, Sherife Rama, Mirjeta Nika, Antigona Rama, Edita Kovaçi, Viktor Curoviq, Albion Duraku dhe Liridon Elezi. Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me medalje të tjera.
Me nga disa medalje të tjera u shpërblyen këta garues: Petar Barlloviq, Xhemale Elezi, Doriana Taipi, Muhamet Kraja, Xhenis Rexhepi dhe Blerim Sukaliq.

Po ashtu në këtë turne mori pjesë edhe garuesi i klubit të karatesë “Albulena” Besnik Adoviq, i cili arriti të punojë në finale në luftëra individuale, por për shkak të lëndimit iu desh të ndërprejë luftën dhe kështu u kurorëzua me medalje të argjendtë.

- Rezultatet për klubin tonë nuk mungojnë. Ne jemi gjithmonë ndër klubet më të mira kudo që marrim pjesë, por përkrahja materiale është shumë e vogël. Kjo në të ardhmen do të jetë pengesë për pjesëmarrje në gara, prandaj bëjmë apel te të gjithë ata që duan t’i ndihmojnë këta të rinj të artë, le t’ju shtrijnë dorën këtyre ambasadorëve të mirëfilltë që të mos u ndalet hovi i suksesit të tyre dhe i të gjithë neve. Ne kemi arritur një nivel të lartë, jemi klub i kompletuar dhe do të vazhdojmë me këtë ritëm. Shumë klube ëndërrojnë që të jenë si ne, por nuk munden, sepse ne jemi ata që me të rinjtë tanë dominojmë në çdo arenë që marrim pjesë, duke e përfaqësuar me dinjitet e krenari emrin të cilin e mbajmë - Ulqini tash 23 vjetë.
Pjesëmarrjen e ekipit tonë në këtë garë e mundësuan Llolla Company, pronarit të së cilës, Muslim Llollës, i takon një falënderim i veçantë, Burektorja Pelivan, Xhevdet Seferi dhe Enver Demiri. Po ashtu falënderojmë edhe Haki Nikën për përkrahjen.
 
 
 


© Copyright 
2000 , 2008 MALESIA.ORG  - Tuz, Malësia
Të gjitha te drejtat e rezervuara.