| |
TË SHTUNËN NË
ULQIN U BË KONSTITUIMI I KËSHILLIT NACIONAL SHQIPTAR
postuar: 06.05.2008
Nuk morën pjesë përfaqësuesit
e UDSH-së dhe PDS-së
Ulqin - Të shtunën në Ulqin u
bë konstituimi i Këshillit Nacional Shqiptar. Në mbledhjen
konstituive morën pjesë 26 nga 35 anëtarë sa ka Këshilli
Nacional Shqiptar. Në mbledhjen konstitutive nuk morën pjesë
përfaqësuesit e UDSH-së të zgjedhur sipas parimit të
funksionit, me përjashtim të ministrit për Mbrotjen e të
Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, si dhe
deputetët e PDS-së, Luigj Shkreli dhe Omer Axhoviq.
Kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ka thënë se përfaqësuesit
e kësaj partie nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen konstitutive
të Këshillit Nacional Shqiptar sepse konstituimi ka qenë lojë
politike dhe nuk është bërë në bazë ligjore dhe legjitime.
"Çdokush që merret me politikë dhe njeh sadopak normat
demokratike të fushës së pakicave duhet ta ketë të qartë se
Këshilli Nacional i Pakicave formohet për t`i lënë hapësirë
edhe sektorit civil dhe intelektualëve të mirëfilltë", thotë
ai, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur në rastin e Këshillit
Nacional të Shqiptarëve.
Dinosha kritikon Ministrinë për Mbrojtjen e të Drejtave të
Njeriut dhe Pakicave për situatën e krijuar në rastin e
krijimit të Këshillit Nacional Shqiptar.
"Në krijimin e situatës së tillë ka ndikuar edhe pagjeturia e
vetë ekipit të Ministrisë së Pakicave, i cili nuk i ka
precizuar si duhet Rregullat për Formimin e Këshillit Nacional
që është dashur të nxirren nga Ligji për Liritë dhe të Drejtat
e Pakicave", ka thënë ai.
Por kritikat e kryetarit të UDSH-së janë hedhur poshtë nga
Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
"Do të doja të dëgjoj se cili nen i Ligjit është shkelur. Çdo
gjë është bërë në pajtim me Ligjin. Askujt nuk i shkruan në
ballë se nga cila parti vjen. Ministria nuk mund të ketë qasje
në atë se kush për kë voton dhe anëtar i cilës parti është, as
që kjo na intereson", ka thënë për gazetën “Vijesti”
ndihmësministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe
Pakicave, Sabahudin Deliq.
Kryetari i UDSH-së e ka cilësuar jolegjitim Kuvendin e
Elektorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Nacional të
Shqiptarëve, të mbajtur më 19 prill, dhe ka paralajmëruar se
kjo parti "do të bëjë ç`është e mundur për të anuluar vendimet
e prodhuara nga ky kuvend", sepse sipas tij, "në të kanë marrë
pjesë kryesisht përfaqësues të partive politike të cilët nuk e
kanë pasur vendin aty".
Sipas Dinoshës, në nenin 33 të Ligjit për të Drejtat dhe
Liritë e Pakicave përkufizohet qartë se përfaqësuesit e
partive politike hyjnë në Këshillin Nacional me automatizëm
dhe kjo nënkupton që Kuvendin e Elektorëve është dashur ta
përbënin përfaqësuesit e organizatave joqeveritare,
intelektualë të pavarur dhe mundësisht brenda tyre femra.
Dinosha konteston edhe zgjedhjen e gazetarëve në Këshillin
Nacional të Shqiptarëve.
"Gazetarët nuk e kanë kurrsesi vendin në Këshill sepse
gazetaria është profesion i veçantë, ndërsa gazetari ka detyra
të tjera, që të përcjellë punën e këtyre trupave e jo të marrë
pjesë në të", thotë ai.
Dinosha shpreson se "intelektualët e mirëfilltë dhe
përfaqësuesit e partive shqiptare do ta kuptojnë se prodhimi i
dalë nga Kuvendi i Elektorëve në Ulqin është i dëmshëm dhe se
së bashku do të bëjnë përpjekje për të ndryshuar këtë situatë".
"Më së miri do të ishte sikur të kuptohej se vërtetë është
bërë dëm, që subjektet politike konkurruese të heqin dorë nga
Kuvendi i Elektorëve në mënyrë që në të, të zgjidhen
përfaqësuesit e sektorit civil ose intelektual, kurse politika
të hyjë në Këshill me kuotë së siguruar", thotë Dinosha.
Ai thekson se UDSH do t`u drejtohet të gjitha instancave
relevante që mund të japin përgjigje të plotë, qoftë në vend
apo jashtë.
Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Nacional Shqiptar pritet
të bëhet zgjedhja e kryetarit të tij.
i.k.
Dinosha: Nuk kam përcjellë
Kuvendet e pakicave tjera
Në vërejtjen se
edhe në rastin e Kuvendit të elektorëve për zgjedhjen e
anëtarëve të këshillave nacionale të pakicave të tjera në Mal
të Zi janë zgjedhur përfaqësues nga politika, Dinosha thotë se
gjendjen e ka hetuar në rastin e Kuvendit të Elektorëve
shqiptarë duke qenë se i njeh më mirë personat që janë
zgjedhur. "Në rastet e tjera nuk i njoh mirë personat dhe as
që kam përcjellë këtë rrjedhë pasi që ka qenë detyrë e dikujt
tjetër ta bënte këtë. Këtë është dashur ta ketë parasysh qartë
ekipi i Ministrisë së Pakicave dhe të reagonte me kohë", thotë
Dinosha.
Shkreli: Mospjesëmarrja për arsye
objektive
Deputeti i PDS-së
Luigj Shkreli thotë se arsyeja e mospjesëmarrjes së tij në
mbledhjen konstitutive të Këshillit Nacional Shqiptar, të
mbajtur të shtunën në Ulqin, ka qenë objektive për shkak se
nuk ka qenë atë ditë në Ulqin për arsye të obligimeve të marra
që më parë. Megjithatë ai e çmon të panevojshëm konstituimin
me aq urgjencë të Këshillit Nacional Shqiptar pasi që, sipas
tij, ka qenë e nevojshme të bëhen konsultime paraprake.
Ndërkaq, ai paralajmëron se në mbledhjen e ardhshme të
Këshillit Nacional, ku pritet të zgjedhet kryetari, do të
marrë pjesë nëse do të jetë në Ulqin. "Nuk kam asnjë arsye që
të mos marr pjesë mbledhjen e Këshillit Nacional Shqiptar
sepse vetë përfaqësimi në të është për mua privilegj", thotë
Shkreli.
35 anëtarët e Këshillit Nacional
Shqiptar
Këshilli Nacional
Shqiptar përbëhet prej 35 anëtarëve. Njëzet prej tyre e kanë
siguruar këtë të drejtë në bazë të funksionit: Fuad Nimani,
ministër për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave,
Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit, Smail Maliq
Çunmulaj, kryetar i Komunës Urbane të Tuzit, Mehmet Bardhi,
kryetar dhe deputet i LD në MZ, Ferhat Dinosha, kryetar dhe
deputet i UDSH-së, Amir Hollaj, kryetar i PPD-së, Nazif Cungu,
kryetar i Forcës së Re Demokratike - Forca, Ali Doda, kryetar
i BDSH-së, deputetët e PDS-së Omer Axhoviq dhe Luigj Shkreli,
deputeti i Alternativës Shqiptare, Vasel Sinishtaj, kryetarët
e klubeve të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit,
Hatixha Gjonoviq (UDSH), Kadri Sinani (LD në MZ), Kapllan
Muçaj (PPD) dhe Genci Nimanbegu (Forca), kryetarët e klubeve
të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Plavës, Ramo Sinanaj
(UDSH) dhe Miftar Balidemaj (LD në MZ), dhe kryetarët e
klubeve të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit,
Fadil Kajoshaj (UDSH), Lindon Gjelaj (ASH) dhe Marash Dedvukaj
(LD në MZ). Ndërsa 15 anëtarët e tjerë të këtij këshilli të
zgjedhur në Kuvendin e Elektorëve janë: Agron Mehmedi, Ali
Gjeçbritaj, Daut Ceka, Fadil Kovaçi, Gani Kukaj, Hajrudin
Kovaçi, Husein Daciq, Ismail Doda, Mehmet Tafica, Musa Gjokaj,
Naser Perasheviq, Palo Dreshaj, Tahir Gjonbalaj, Tahir Tahiri
dhe Taip Kurti. (Koha Javore)
|
|